

Nga arratia, ish-zëvendëskryeministri akuzon SPAK për persekutim ndaj familjes dhe mohon firmosjen e çdo licence kazinoje gjatë mandatit të tij.
Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka bërë deklarata të forta kundër kryeministrit Edi Rama dhe Prokurorisë së Posaçme, duke i lidhur me skandalin e licencave të kazinove që, sipas tij, janë dhënë për llogari të kartelit famëkeq meksikan “Sinaloa”. Nga një lidhje telefonike në “Çim Peka Live” në SYRI TV, Ahmetaj mohoi kategorikisht çdo përfshirje të tij në procesin e licencimit, duke hedhur përgjegjësinë te kreu i qeverisë.
“Sa kam qenë ministër i Financave, nuk ka pasur licenca kazinosh. Zero,” deklaroi ai, duke theksuar se nuk ka firmosur asnjë leje për subjektet shqiptaro-meksikane që Departamenti Amerikan i Thesarit i ka shpallur “non grata” për pastrim parash në emër të kartelit Sinaloa. Sipas Ahmetajt, personi që duhet të japë shpjegime është vetë kryeministri. “Pyesni Edi Ramën,” u shpreh ai, duke iu referuar deklaratave të mëparshme të Ramës, i cili kishte paralajmëruar se Ahmetaj do të përfundonte në duart e drejtësisë.
Ish-zëvendëskryeministri akuzoi gjithashtu SPAK për një “genocid institucional” ndaj familjes së tij, duke pretenduar se është nën një ndëshkim politik dhe personal. Ahmetaj tha se goditja ndaj tij dhe njerëzve të afërt është pjesë e një skenari të orkestruar, ndërsa vetë çështja e kazinove po përdoret për të mbuluar përgjegjësitë e vërteta.
Ahmetaj, i cili vazhdon të qëndrojë jashtë vendit, mbetet një nga figurat më të diskutuara në hetimet e korrupsionit të viteve të fundit, teksa akuzat e tij të fundit pritet të ndezin edhe më shumë debatin politik e publik në vend.
