
Mbesa e 68-vjeçarit grek rrëfen marrëdhënien e çuditshme mes dajës së saj dhe mikut shqiptar që humbi jetën bashkë me të, konfliktet për trashëgiminë, frika nga nipi dhe dyshimet që po ndjek policia greke.
Hetimet për vrasjen e dyfishtë që tronditi Greqinë, ku u ekzekutuan 68-vjeçari grek Kostas D. dhe miku i tij shqiptar B., kanë marrë një kthesë të re pas dëshmisë së mbesës së viktimës. Në rrëfimin e saj për policinë, ajo ka hedhur dritë mbi marrëdhëniet e ndërlikuara të familjes dhe motivet e mundshme pas krimit që ka tronditur Finikoundën.
Sipas saj, daja kishte ndërtuar prej fillimit një pasuri që sot llogaritet rreth 30 milionë euro, duke zotëruar prona, biznese dhe një kamping turistik në bregdet. Por më shumë se pasuria, jetën e tij e dominonte një lidhje e fortë emocionale me mikun shqiptar, i cili jo vetëm ishte ndihmësi i tij më i afërt, por edhe personi më i privilegjuar në testament.
“Daja im e kishte për zemër atë djalë shqiptar. E vishte me rroba të shtrenjta, i bleu një Mercedes dhe më kishte thënë se në testament ai do të merrte pjesën më të madhe të pasurisë. Kishte një dobësi të çuditshme për të, jetonte për të,” – tha mbesa në dëshminë e saj.
Ajo zbulon se marrëdhëniet e dajës me nipin e tij T.D., i cili është përfshirë në hetim si person që kishte dijeni për ngjarjen, kanë qenë të tensionuara prej vitesh. Katër vite më parë, 68-vjeçari e kishte akuzuar nipin për një vjedhje prej 20 mijë eurosh në shtëpinë e tij dhe madje kishte thënë: “nëse më ndodh diçka, do të jetë ai përgjegjës”.
Megjithatë, vitet e fundit marrëdhëniet mes tyre ishin përmirësuar, por sipas mbesës, “daja kishte frikë nga nipi sepse e dinte se, në rast se ai vdiste, T.D. do të përfitonte një pjesë të madhe të pasurisë.”
Në dëshminë e saj, ajo përshkruan edhe karakterin e vështirë të viktimës: një njeri autoritar, i cili kërkonte kontroll absolut mbi të gjithë. “Ai ishte shumë i ashpër, çdo gjë duhej të bëhej sipas fjalës së tij. Ata që vareshin prej tij duhej ta bindnin dhe t’i bënin nderet, ndryshe mund t’i linte pa asnjë ndihmë,” – ka treguar ajo.
Një përplasje mes tyre për rinovimin e një prone të familjes ishte hera e fundit që mbesa e kishte dëgjuar gjallë. “U grindëm për shtëpinë që doja të rinovoja. Ai më tha ‘më le rehat’, dhe më mbylli telefonin. Nuk folëm më.”
Sipas autoriteteve greke, hetimet po përqendrohen tani mbi konfliktet për trashëgiminë dhe mbi marrëdhëniet e ngushta mes dy viktimave, të cilat mund të kenë shkaktuar tensione të forta brenda familjes.
Dyshimet kryesore mbeten mbi mundësinë që krimi të ketë lidhje me testamentin dhe ndarjen e pasurisë milionëshe, që sipas mbesës, do t’i jepte mikut shqiptar pjesën më të madhe të pasurisë.
Policia greke ka sekuestruar dokumentet e pronave dhe kopjen e testamentit, ndërsa mediat vendase raportojnë se prokuroria po shqyrton edhe mundësinë e një krimi të planifikuar për motive financiare.
Ngjarja e Finikoundës, ku një miqësi e ngushtë u shndërrua në mister dhe dyshime, po shihet si një nga rastet më enigmatike të viteve të fundit në Greqi, një histori ku pasuria, xhelozia dhe besnikëria janë përzier në mënyrën më tragjike të mundshme.