
Bashkëshortja e ish-kryebashkiakut Erion Veliaj konfirmohet shtatzënë në muajin e katërt, ndërkohë që ndaj saj dhe Veliajt vijon procesi gjyqësor për korrupsion dhe pastrim parash
Ajola Xoxa, e akuzuar me 12 vepra penale dhe dërguar për gjykim nga SPAK në GJKKO, mësohet se është shtatzënë dhe ndodhet në muajin e katërt. Sipas burimeve, shtatzënia është realizuar me metodën invitro pas disa tentativave të mëparshme.
Rasti ka ngjallur diskutime pasi në procese të ngjashme shtatzënia apo kujdestaria ndaj fëmijëve të mitur mund të ndikojë në masën e dënimit, duke sjellë zbutje ose shtyrje të seancave. Ndërkohë Xoxa përballet me nëntë akuza për korrupsion, si edhe për pastrim parash, fshehje dhe mosdeklarim pasurie.
Nga ana tjetër, ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ndodhet në paraburgim në Durrës, i akuzuar me 13 vepra penale që përfshijnë korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim të produkteve të veprës penale dhe fshehje pasurie. Procesi ndaj tij është shtyrë disa herë, duke arritur në tetë seanca të pezulluara, ndërsa gjykatat kanë refuzuar kërkesat për lirimin e tij.
SPAK deklaron se gjatë hetimeve ka zbuluar një skemë financiare ku fondet publike përfundonin në organizata të drejtuara nga Xoxa, ndërkohë që çështja vijon në gjykim dhe pritet vendimmarrja në vijim.
