
Ngjarja e rëndë ndodhi në natën e Vitit të Ri në zonën Irlam të Greater Manchester, policia apelon për dëshmitarë
Një aksident i rëndë rrugor ka tronditur Britaninë e Madhe në natën e ndërrimit të viteve, ku një burrë 48-vjeçar ka humbur jetën, ndërsa një grua 50-vjeçare ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Sipas autoriteteve, aksidenti ndodhi në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në zonën Irlam, në Greater Manchester. Automjeti që drejtohej nga 48-vjeçari u përplas fillimisht me një rrethrrotullim dhe më pas doli nga rruga, duke shkaktuar pasoja tragjike.
Shoferi u shpall i vdekur në vendngjarje nga ekipet e emergjencës, ndërsa familjarët e tij janë njoftuar dhe po mbështeten nga oficerë të specializuar të policisë.
Në automjet ndodhej edhe një grua 50-vjeçare, e cila pësoi plagë shumë të rënda dhe u transportua me urgjencë në spital, ku ndodhet në gjendje kritike.
Policia e Greater Manchester ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe u ka bërë thirrje dëshmitarëve apo personave që mund të kenë informacione të vlefshme për ngjarjen, të paraqiten për të ndihmuar hetimin.
Autoritetet kanë theksuar se çdo detaj mund të jetë i rëndësishëm për sqarimin e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë që ndodhi në prag të Vitit të Ri.
