
70-vjeçari humbi kontrollin e mjetit për shkak të lagështisë në rrugë në fshatin Kurtinë
Një aksident i rëndë me pasojë humbjen e jetës së një personi është regjistruar këtë të mërkurë në Lushnjë. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Kurtinë, ku një drejtues motori ka humbur kontrollin e mjetit për shkak të kushteve të pafavorshme të motit.
Sipas informacioneve paraprake, viktima, një 70-vjeçar, po lëvizte me motor kur, si pasojë e lagështisë së krijuar në rrugë nga reshjet, ka rrëshqitur dhe është rrëzuar. Për shkak të dëmtimeve të marra, ai ka ndërruar jetë.
Trupi i pajetë është transportuar drejt morgut të spitalit të Lushnjës për kryerjen e ekspertizës mjekoligjore, ndërsa autoritetet kanë nisur veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Policia u bën thirrje drejtuesve të mjeteve që gjatë motit të keq të tregojnë kujdes të shtuar, të ulin shpejtësinë dhe të përshtatin drejtimin me kushtet e rrugës për të shmangur ngjarje tragjike.
