
Përplasja e rëndë mes një makine dhe një kamioni në aksin A55 shkaktoi mbylljen totale të tunelit, ndërsa tre ambulanca ajrore u angazhuan për transportin e të plagosurve
Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mesditën e së enjtes në tunelin Conwy, në aksin A55 në Uells, ku një grua ka humbur jetën dhe tre persona të tjerë janë plagosur rëndë. Ngjarja u regjistrua rreth orës 12:00 në segmentin perëndimor të rrugës, pranë daljes J17 në zonën Conwy Morfa.
Sipas autoriteteve britanike, një automjet është përplasur me një kamion të tonazhit të rëndë, duke shkaktuar pasoja tragjike për personat që udhëtonin në makinë. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të emergjencës, një grua rreth të 40-ave u shpall e vdekur në vendngjarje.
Dy nga të plagosurit u transportuan me helikopter drejt spitaleve në Stoke dhe Aintree, ndërsa personi i tretë u dërgua me ambulancë drejt spitalit Aintree. Të katër personat ndodheshin në të njëjtin automjet në momentin e aksidentit.
Si pasojë e përplasjes, tuneli Conwy në aksin A55 u mbyll në të dyja drejtimet, duke shkaktuar kaos në qarkullim dhe radhë të gjata automjetesh. Më vonë, policia njoftoi se qarkullimi është rihapur pjesërisht në një korsi, me devijime të përkohshme në zonën e daljes J17.
Drejtuesi i kamionit po bashkëpunon me autoritetet, ndërsa Njësia e Hetimit të Aksidenteve të Rënda e Policisë së Uellsit të Veriut vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Policia u ka bërë thirrje dëshmitarëve apo personave që disponojnë pamje nga kamera e makinës të kontaktojnë menjëherë autoritetet.
Autoritetet shëndetësore konfirmuan se në operacion u angazhuan katër ambulanca, dy njësi reagimi të shpejtë dhe tre helikopterë të ambulancës ajrore, ndërsa hetimet për shkaqet e aksidentit vijojnë.
