
Dy makina u përplasën me forcë në aksin Fier–Roskovec, duke shkaktuar disa të lënduar që po marrin trajtim në spitalin rajonal.
Një aksident me pasoja të rënda është regjistruar këtë të shtunë në segmentin Fier–Roskovec, në zonën e njohur si “Kthesa e Verbasit”. Dy automjete janë përplasur mes tyre, duke lënë të plagosur gjashtë persona, mes tyre dy drejtues mjetesh dhe katër pasagjerë.
Të lënduarit u transportuan menjëherë drejt Spitalit Rajonal Fier, ku po marrin ndihmën e parë dhe trajtimet mjekësore. Ende nuk ka informacion zyrtar mbi gjendjen e tyre, ndërsa mjekët po monitorojnë vazhdimisht secilin prej tyre.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po analizojnë shkaqet e përplasjes. Hetimet pritet të përcaktojnë dinamikën e aksidentit dhe nëse ndonjëri nga drejtuesit ka shkelur rregullat e qarkullimit.
