
Përplasja kokë më kokë pranë Luxorit shkaktoi dëmtime të mëdha, disa pasagjerë u hodhën në ujë
Një ngjarje tragjike është regjistruar në Egjipt, ku një mësuese 47-vjeçare ka humbur jetën pas përplasjes së dy anijeve turistike në lumin Nil. Viktima, Denise Ruggeri, ndodhej në një udhëtim turistik me bashkëshortin e saj kur anija ku udhëtonte u përplas kokë më kokë me një tjetër mjet lundrues.
Sipas autoriteteve, përplasja e fortë bëri që gruaja të rrëzohej brenda kabinës së saj, duke pësuar një dëmtim serioz në mushkëri. Ajo u transportua me urgjencë në spital në gjendje kritike, por ndërroi jetë pak orë më vonë në reanimacion.
Nga aksidenti janë shkatërruar katër kabina të anijes Royal Beau Rivage, ndërsa disa pasagjerë të tjerë janë hedhur në ujë si pasojë e panikut. Fatmirësisht, nuk raportohet për viktima të tjera.
Ngjarja ndodhi rreth 30 kilometra larg qytetit të Luxorit, në një zonë me qarkullim të dendur turistik. Autoritetet egjiptiane kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve, ndërsa raportohet se kapitenit të njërës anije i është pezulluar licenca.
Ambasada italiane në Kajro ka konfirmuar se viktima ishte shtetase italiane dhe se pasagjerët e tjerë janë në gjendje të sigurt.
