
Përplasja mes dy trenave me shpejtësi të lartë në jug të Spanjës ka shkaktuar dhjetëra të vdekur dhe mbi 70 të shtruar në spital, ndërsa autoritetet ende nuk kanë zbardhur shkaqet
Një aksident i rëndë hekurudhor ka tronditur mbrëmjen e së dielës jugun e Spanjës, ku të paktën 39 persona kanë humbur jetën pas përplasjes mes dy trenave me shpejtësi të lartë. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:45 me orën lokale, pranë qytetit Adamuz, në provincën e Kordobës.
Sipas operatorit hekurudhor Adif, pjesa e pasme e një treni që udhëtonte nga Malaga drejt Madridit u përplas me një tren tjetër që lëvizte nga Madridi në drejtim të Huelvës. Shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet spanjolle kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë skena dramatike nga vendngjarja, ku vagonë të përmbysur dhe të shtrembëruar shihen në anë të shinave, ndërsa ekipet e shpëtimit nxjerrin pasagjerë nga dritaret e thyer. Disa të plagosur u transportuan me barela, ndërsa të tjerë morën ndihmë mjekësore në vend.
Presidenti i rajonit të Andaluzisë, Juanma Moreno, bëri të ditur se rreth 75 pasagjerë janë shtruar në spital, ndërsa dhjetëra të tjerë kanë pësuar lëndime të lehta. Në dy trenat ndodheshin rreth 400 pasagjerë, kryesisht shtetas spanjollë që po udhëtonin drejt dhe nga Madridi pas fundjavës.
Kryeministri i Spanja, Pedro Sanchez, ka anuluar agjendën e tij ditore dhe ka ndjekur nga afër situatën, ndërsa qeveria ka shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave dhe ka garantuar mbështetje të plotë për të prekurit nga kjo tragjedi.
Operacionet e kërkim-shpëtimit dhe ndihmës mjekësore vijojnë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se bilanci i viktimave mund të ndryshojë në orët në vijim.
