
Përplasja mes një “Peugeot” dhe një “Benz” në kryqëzimin e Cakranit rezulton fatale për të riun
Një aksident i rëndë me pasojë humbjen e jetës është regjistruar mbrëmjen e kësaj të mërkure në aksin rrugor Levan–Tepelenë, në zonën e njohur si kryqëzimi i Cakranit, në Fier.
Sipas informacioneve paraprake, në aksident janë përfshirë dy automjete, një “Peugeot” dhe një “Benz”. Si pasojë e përplasjes së fortë, ka ndërruar jetë një i ri rreth 20 vjeç, i identifikuar me inicialet O. M.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se 20-vjeçari po udhëtonte me automjetin tip “Peugeot” nga Poçemi në drejtim të Levanit dhe, në momentin që po dilte në autostradë nga Cakrani, i ka prerë rrugën automjetit tip “Benz”, duke shkaktuar përplasjen fatale.
Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të këtij aksidenti tragjik, i cili i ka marrë jetën një të riu në prag festash.
Ngjarja ka tronditur zonën, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë dhe dinamikën e saktë të aksidentit.
