
Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali, ku një fëmijë humbi jetën dhe dy persona mbetën të plagosur pas një përplasjeje të fortë mes dy makinave.
Një aksident i rëndë rrugor ndodhi mbrëmjen e së mërkurës në provincën e Bolonjës, duke i marrë jetën një fëmije 7-vjeçar me origjinë shqiptare. Ngjarja tragjike u regjistrua rreth orës 21:00, kur dy automjete, një Volkswagen Corrado dhe një Renault Clio, u përplasën me forcë në një segment rrugor afër një stacioni karburanti.
Sipas raportimeve të mediave italiane, automjeti ku ndodheshin fëmija dhe babai i tij, me banim në Minerbio, është përplasur pasi një prej makinave dyshohet se kaloi në korsinë e kundërt për të shmangur një motor që po kthehej drejt karburantit. Nga goditja e fortë, të dy makinat dolën jashtë rruge.
Ekipet e emergjencës 118 mbërritën menjëherë në vendngjarje, por pavarësisht përpjekjeve të tyre, fëmija ndërroi jetë në vend për shkak të plagëve të marra. Babai i tij dhe drejtuesi i automjetit tjetër u transportuan në spital në gjendje të rëndë.
Hetimet janë marrë përsipër nga karabinierët e San Lazzaro di Savena, të cilët po analizojnë dinamikën e aksidentit për të përcaktuar shkakun e saktë. Paraprakisht dyshohet se fëmija nuk kishte vendosur rripin e sigurimit në momentin e përplasjes.
Ky aksident ka tronditur opinionin publik lokal dhe komunitetin shqiptar në Itali, duke rikthyer në vëmendje nevojën për kujdes të shtuar në rrugët urbane dhe respektimin rigoroz të rregullave të qarkullimit për të shmangur humbje të tilla të dhimbshme.