
Ngjarja e rëndë u shënua në orët e para të mëngjesit në zonën e Atikës, ndërsa i riu nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra
Një 23-vjeçar shqiptar ka ndërruar jetë si pasojë e një aksidenti tragjik të ndodhur në Greqi. Ngjarja e rëndë është regjistruar në orët e para të së premtes në zonën e Atikës, ku automjeti që drejtonte i riu doli nga rruga dhe u përplas me barrierat anësore.
Sipas raportimeve të mediave greke, aksidenti ka ndodhur në rrethana ende të paqarta. Përplasja ka qenë e fortë dhe drejtuesi i mjetit ka mbetur i bllokuar brenda automjetit, duke pësuar plagë të rënda.
Në vendngjarje ndërhynë pesë zjarrfikës për të nxjerrë të riun nga makina e dëmtuar rëndë. Pas ndërhyrjes, ai u transportua me urgjencë drejt spitalit, por për fat të keq nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe u shpall i vdekur.
Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të sqaruar shkaqet e aksidentit, ndërsa ngjarja ka sjellë dhimbje dhe tronditje për familjen e të riut shqiptar.
