
Një makinë u shtrydh mes dy kamionëve dhe shpërtheu në flakë, duke marrë jetën e pesë anëtarëve të një familjeje, mes tyre një vajzë 3-vjeçare.
Të paktën tetë persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 20 të tjerë janë plagosur rëndë në një aksident të rëndë rrugor në Indi, pasi një kamion humbi kontrollin dhe u përplas me dhjetëra mjete në një nga segmentet më të ngarkuara të autostradës Pune–Bengaluru. Ngjarja ndodhi pasditen e 13 nëntorit, rreth orës 17:45, në zonën Bhumkar Bridge–Navale Bridge, sipas mediave indiane.
Kamioni, i cili ishte nisur drejt Mumbai-t, goditi të paktën 13 automjete, duke shkaktuar një zinxhir përplasjesh të dhunshme. Një makinë e vogël u shtrydh mes dy kamionëve dhe shpërtheu menjëherë në flakë. Brenda saj u gjetën të pajetë pesë persona: dy burra, dy gra dhe një vajzë 3-vjeçare. Edhe drejtuesi dhe pasagjeri i kamionit që shkaktoi aksidentin humbën jetën.
Pamje nga vendngjarja, të shpërndara nga autoritetet e Pune-s, treguan mjetin e karbonizuar plotësisht, ndërsa ekipet e zjarrfikësve punonin pa ndërprerje për të shuar flakët dhe për të nxjerrë trupat e viktimave. Sipas zjarrfikësve, automjeti i vogël ishte me bombol CNG, duke e intensifikuar zjarri pas shpërthimit fillestar.
Zyrtarët lokalë thanë se shkaku i aksidentit ishte dështimi i frenave të kamionit gjatë zbritjes në një pjesë me pjerrësi të madhe të autostradës. Përplasja e fortë e shndërroi automjetin e vogël në një masë të shtypur metali, duke e bërë nxjerrjen e trupave një operacion të vështirë dhe traumatizues.
Të plagosurit u transportuan në spitalet më të afërta, përfshirë Sassoon General Hospital. Autoritetet vendore kanë shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave dhe po hetojnë nëse kamioni kishte probleme teknike të paregjistruara ose nëse drejtuesi kishte shkelur protokollet e sigurisë rrugore.
Policia e Pune-s, në një deklaratë zyrtare, tha se forcat ndodhen ende në terren për të menaxhuar pasojat e aksidentit dhe për të ofruar ndihmë për qytetarët e prekur nga tragjedia. Postimet e tyre në rrjetet sociale kanë marrë mijëra reagime, me qytetarë që kërkojnë masa më të forta sigurie në këtë segment të rrezikshëm të autostradës.
