
Automjeti i Metropolitan Police ishte në emergjencë drejt një thirrjeje 999, hetim i hapur nga Independent Office for Police Conduct
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit në qendër të Londrës, ku një burrë rreth të tridhjetave ka humbur jetën pasi u përplas nga një automjet policie që po lëvizte drejt një thirrjeje emergjente 999.
Aksidenti ndodhi pak pas mesnatës në Borough High Street, pranë zonës shumë të frekuentuar turistike të Borough Market dhe afër London Bridge, një hapësirë e njohur për jetën e natës dhe fluksin e lartë të këmbësorëve, biçikletave dhe automjeteve.
Sipas policisë londineze, mjeti i shënuar i policisë ishte në shërbim emergjent kur u përfshi në përplasjen fatale. Oficerët i dhanë ndihmën e parë viktimës, ndërsa në vendngjarje mbërritën menjëherë ekipet e London Ambulance Service dhe një ekip traume nga shërbimi ajror mjekësor i Londrës. Pavarësisht përpjekjeve intensive, burri u shpall i vdekur në vend.
Zona pranë kryqëzimit u rrethua me kordone sigurie, ndërsa trafiku dhe qytetarët u devijuan për disa orë, me shërbimet emergjente që vijuan punën në terren.
Autoritetet konfirmuan se familjarët e viktimës janë njoftuar dhe po mbështeten nga oficerë të specializuar. Ndërkohë, policia ka referuar rastin për hetim të pavarur dhe ka njoftuar edhe Drejtorinë e Standardeve Profesionale.
Hetimi është marrë në dorëzim nga IOPC, e cila do të shqyrtojë rrethanat e plota të aksidentit dhe mënyrën se si u zhvillua ndërhyrja policore gjatë emergjencës.
