
96-vjeçari u godit nga një automjet në Vlorë, komuniteti sportiv në zi për profesor Pompin
Një lajm i trishtë ka prekur qytetin e Vlorës dhe botën e sportit shqiptar. Ka ndërruar jetë Pandeli Opingari, ish-futbollist i Flamurtarit dhe një nga figurat më të respektuara të sportit vlonjat, pas plagëve të rënda të marra në një aksident rrugor.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 2 janar në rrugën Demokracia në Vlorë, ku 96-vjeçari u përplas nga një automjet tip Audi, i drejtuar nga një 22-vjeçar, teksa po kalonte rrugën në vijat e bardha. Opingari u transportua menjëherë drejt spitalit dhe qëndroi për disa orë nën kujdes intensiv, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk arriti t’u mbijetojë dëmtimeve.
Policia arrestoi drejtuesin e mjetit dhe ka nisur procedurat ligjore për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Ndarja nga jeta e Pandeli Opingarit, i njohur gjerësisht si profesor Pompi, ka shkaktuar dhimbje të madhe në komunitetin sportiv dhe qytetar të Vlorës. Ai ka qenë pjesë e Flamurtarit në vitet 60–70, mësues i edukimit fizik, trajner dhe një figurë e çmuar që la gjurmë të thella në sportin dhe edukimin e brezave.
