Një punëtor me origjinë shqiptare ka vdekur nga goditja elektrike ndërsa po manovronte pompën për përzierjen e çimentos. Krahu i betonierës dyshohet se ka prekur kabllot e tensionit të lartë.
Një aksident i rëndë në vendin e punës ndodhi këtë mëngjes në Leçe. Punëtori 67-vjeçar, me origjinë shqiptare por banues në kryeqytetin e Salentos, humbi jetën nga goditja elektrike ndërsa ishte i angazhuar në punime ndërtimi në rrugën Via Vecchia Frigole, në një zonë të hapur fshatare.
Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, burri, i identifikuar si Allushaj Limos, po manovronte pompën për përzierjen e çimentos gjatë punimeve për ndërtimin e një muri gurësh (muretto a secco), kur – për shkak të një manovre të gabuar – krahu i betonierës ka prekur kabllot e tensionit të lartë.Punëtori u godit nga një rrymë e fortë elektrike.
Përpjekjet e mjekëve të urgjencës 118 për ta ringjallur rezultuan të kota; ata mundën vetëm të konstatonin vdekjen e tij. Në vendngjarje ndërhynë edhe zjarrfikësit për të siguruar zonën, si dhe policia e shtetit, karabinierët dhe personeli i Shërbimit për Parandalimin dhe Sigurinë në Punë (Spesal), të cilët nisën hetimet për të rindërtuar dinamikën e incidentit.
