
Dy ish-zyrtarë të lartë dyshohen për dëm mbi 1 milion euro ndaj buxhetit të BKS-së përmes skemave të paligjshme financiare
Një aksion i gjerë anti-korrupsion është zhvilluar në Prizren nga Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore, duke çuar në arrestimin e ish-drejtorit ekzekutiv të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazreku, dhe ish-drejtorit të Financave, Valon Berisha.
Sipas hetimeve paraprake, dy ish-zyrtarët dyshohen se kanë pasur rol kyç në shkaktimin e një dëmi financiar mbi 1 milion euro ndaj buxhetit të BKS-së, përmes keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe shkeljes së besimit.
Hetimet tregojnë se janë përdorur të dhënat e 45 llogarive bankare të qytetarëve, përmes të cilave janë transferuar mjete financiare nga BKS mbi bazën e marrëveshjeve të parapërgatitura. Nga këto transaksione, dyshohet se Mazreku dhe Berisha kanë përfituar shuma të konsiderueshme parash.
Po ashtu, sipas dyshimeve, janë identifikuar qytetarë të përfshirë në aksidente trafiku, të cilëve u janë kaluar para si kompensim dëmesh, por vetëm një pjesë e vogël e shumës u është lënë atyre, ndërsa pjesa më e madhe dyshohet se është përvetësuar nga ish-zyrtarët.
Operacioni është drejtuar nga tetë prokurorë nën udhëheqjen e Kryeprokurorit të Prizrenit, Petrit Kryeziu, dhe ka nisur në orët e hershme të mëngjesit. Në listën e të dyshuarve përfshihen gjithsej 45 qytetarë, si dhe drejtues aktualë e ish-drejtues të BKS-së.
Në kuadër të hetimeve janë kryer bastisje në disa prona të Sami Mazrekut dhe zyrtarëve të tjerë të dyshuar, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të skemës së dyshuar kriminale.
