
Policia gjen rreth një mijë rrënjë kanabisi dhe pajisje të specializuara për kultivim, disa persona përfundojnë në pranga
Një operacion antidrogë është zhvilluar gjatë orëve të natës në zonën e Lezhës, ku shërbimet e policisë kanë zbuluar një magazinë të përshtatur për kultivimin e lëndëve narkotike. Ambienti ndodhej pranë superstradës që lidh Lezhën me Laçn, në afërsi të kryqëzimit të Spitenit.
Sipas burimeve policore, gjatë kontrollit në magazinë janë konstatuar rreth një mijë rrënjë kanabisi, të kultivuara në kushte të mbyllura. Në vendngjarje janë sekuestruar gjithashtu pajisje të ndryshme që shërbenin për këtë aktivitet të paligjshëm, përfshirë ndriçim artificial, sisteme ajrosjeje dhe mjete të tjera ndihmëse për rritjen e bimëve narkotike.
Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar disa persona, të cilët dyshohet se kishin role të ndryshme në organizimin dhe funksionimin e kësaj magazine. Policia bën me dije se hetimet po vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit, si edhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
