 
        Pas tragjedisë me Porsche, policia forcon kontrollet në Skelë; pika kontrolli, ndalime makinash luksoze dhe verifikime për persona me precedentë.
Mbrëmjen e sotme, forcat e rendit kanë zhvilluar një operacion të befasishëm në zonën e Skelës në Vlorë, në kuadër të masave për rritjen e sigurisë publike. Aksioni vjen pas ngjarjes së rëndë ku një 17-vjeçar humbi jetën pasi u përplas nga një automjet tip Porsche, duke shkaktuar reagim të fortë në opinionin publik.
Policia ka ngritur disa pika kontrolli në hyrje dhe dalje të zonës, duke ndaluar automjete luksoze dhe makina me xhama të zinj. Kontrollet janë përqendruar te personat me precedentë penalë, ata në kërkim, si dhe te qytetarët që mund të mbajnë armë të ftohta apo armë zjarri pa leje.
Burime nga policia bëjnë me dije se operacioni është pjesë e një fushate më të gjerë për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe garantimin e rendit publik në qytet. Aksione të ngjashme pritet të zhvillohen edhe në zona të tjera të Vlorës.
Në pamjet nga vendngjarja, dallohet prania e shtuar e forcave të policisë dhe ndalimi i disa automjeteve luksoze. Operacioni vijon në orët e mbrëmjes me qëllim forcimin e kontrollit dhe rikthimin e ndjenjës së sigurisë për qytetarët.

 
         
         
         
        