Aksionerët e Tesla-s kanë miratuar një paketë shpërblimi rekord për shefin ekzekutiv, Elon Musk, e cila mund të kapë vlerën e rreth 1 trilion dollarëve (760 miliardë paund).
Musk, i cili aktualisht është njeriu më i pasur në botë, duhet të rrisë ndjeshëm vlerën e tregut të Tesla-s gjatë 10 viteve të ardhshme. Nëse arrin objektivat e përcaktuara, ai do të shpërblehet me qindra miliona aksione të reja.
Pavarësisht kritikave për madhësinë e shpërblimit, bordi i Tesla-s argumentoi se kompania nuk mund të rrezikojë humbjen e Musk, duke theksuar se ai mund të largohej nëse paketa nuk miratohej.
Pas votimit, Musk doli në skenë në Austin, Teksas, ku edhe kërceu mes thirrjeve të audiencës që brohorisnin emrin e tij.
“Ajo që do të nisim tani nuk është thjesht një kapitull i ri për Tesla-n, por një libër i tërë i ri,” tha ai.
“Mbledhjet e aksionerëve zakonisht janë të mërzitshme, por tonat janë spektakël. Shikojeni këtë. Kjo është fantastike,” shtoi Musk.
Për të përfituar plotësisht shpërblimin, Musk duhet të arrijë disa objektiva të mëdha, mes tyre:
• Rritjen e vlerës së tregut të Tesla-s në 8.5 trilion dollarë, nga rreth 1.4 trilionë dollarë aktualisht.
• Vënien në qarkullim të 1 milion automjeteve autonome Robotaxi për përdorim komercial.
