
Liderët islamë dënojnë aktin dhe refuzojnë kryerjen e riteve mortore për autorët e sulmit
Një akt i rëndë urrejtjeje ka ndodhur në një varrezë në perëndim të Sydneyt, ku koka derri janë hedhur mbi varre myslimane, vetëm një ditë pas sulmit terrorist në Bondi Beach që tronditi Australinë. Ngjarja është regjistruar në varrezat Narellan në Camden dhe po hetohet nga autoritetet.
Sipërmarrësi i njohur i shërbimeve funerale myslimane, Ahmad Hraichie, e ka dënuar ashpër veprimin, duke e cilësuar si të pakuptimtë dhe të mbushur me urrejtje. Ai theksoi se varret janë vende dinjiteti dhe paqeje, të përbashkëta për të gjitha besimet, dhe se akti vetëm sa nxit ndarje dhe dhimbje të reja.
Ngjarja vjen në një klimë të tensionuar pas sulmit në Bondi Beach, ku dy persona të armatosur hapën zjarr ndaj qytetarëve gjatë një feste hebraike, duke lënë të paktën 16 të vdekur dhe mbi 40 të plagosur. Njëri prej autorëve humbi jetën në vendngjarje, ndërsa tjetri ndodhet në spital nën ruajtje policore.
Ndërkohë, udhëheqësit myslimanë të Sydneyt kanë deklaruar publikisht se komuniteti islam refuzon të kryejë ceremonitë mortore për autorët e sulmit dhe nuk do të pranojë varrosjen e tyre në seksione myslimane të varrezave. Sipas tyre, aktet e dhunës ndaj civilëve janë në kundërshtim të plotë me parimet e Islamit.
Edhe Këshilli Kombëtar i Imamëve Australianë ka reaguar, duke dënuar sulmin terrorist dhe duke bërë thirrje për unitet, qetësi dhe solidaritet mes komuniteteve. Ata kanë theksuar se përgjegjësia individuale nuk duhet të kthehet në ndëshkim kolektiv apo akte urrejtjeje ndaj besimeve fetare.
Autoritetet australiane kanë shtuar masat e sigurisë rreth objekteve fetare dhe po hetojnë si incidentin në varreza, ashtu edhe kërcënimet e raportuara ndaj familjeve dhe institucioneve myslimane pas sulmit.
