
Ylli i njohur për rolin e Marv nuk u arrestua, por u gjobit nga policia në Kaliforni
Aktori amerikan Daniel Stern, i njohur në mbarë botën për rolin e Marv, një nga grabitësit ikonë në filmin Home Alone, është përfshirë në një incident ligjor në Kaliforni, ku sipas mediave amerikane është konstatuar nga policia për kërkim shërbimesh prostitucioni në një hotel.
Sipas burimeve të zbatimit të ligjit në qarkun Ventura, Stern, 68 vjeç, është ndaluar dhe gjobitur më 10 dhjetor në zonën Camarillo, por nuk është arrestuar. Autoritetet sqarojnë se në shtetin e Kalifornisë kjo shkelje klasifikohet si kundërvajtje penale dhe parashikon deri në gjashtë muaj burg ose një gjobë deri në 1 mijë dollarë, nëse çështja përfundon me dënim.
Deri më tani, as aktori dhe as përfaqësuesit e tij nuk kanë reaguar publikisht lidhur me incidentin. Stern, i cili është i martuar prej vitit 1980 dhe baba i tre fëmijëve, prej vitesh është tërhequr nga jeta aktive në Hollywood, duke iu përkushtuar artit të skulpturës.
Ai jeton në një fermë në Ventura, ku merret me skulpturë dhe blegtori. Së fundmi, në prag të Krishtlindjeve, Stern kishte treguar për mediat amerikane se ishte kontaktuar nga pronarët e shtëpisë ikonike të filmit Home Alone për të realizuar një skulpturë artistike të një prej skenave më të njohura të filmit.
Incidenti vjen disa muaj pasi, në tetor, mediat raportuan se aktori ishte shtruar për një emergjencë shëndetësore, nga e cila u largua shpejt nga spitali dhe u raportua se ishte në gjendje të mirë shëndetësore.
Rasti mbetet në fazë administrative dhe pritet të shihet nëse do të ketë zhvillime të mëtejshme ligjore.
