
Kandidatja pretendon se i janë hequr vota qëllimisht për t’i hapur rrugën Asim Vokshit
Një debat i ashpër ka shpërthyer pas votimit të mbajtur më 30 shtator në Gjykatën e Lartë për zgjedhjen e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese. Kandidatja Naureda Llagami, e renditur ndër më të vlerësuarat në garë, ka hedhur akuza serioze për manipulim të procesit.
Sipas rezultatit zyrtar, Llagami mori 8 vota, Asim Vokshi 6 dhe Florian Ballhysa asnjë. Një fletë u shpall e pavlefshme, çka bëri që asnjëri të mos siguronte shumicën prej 3/5. Për pasojë, fitues u shpall automatikisht Vokshi, i renditur i pari me 89.5 pikë, për të zëvendësuar Holta Zaçajn në Kushtetuese.
Por Llagami ka kundërshtuar fort vendimin, duke deklaruar se vota e shpallur e pavlefshme i përkiste asaj dhe se në fakt ka marrë 9 vota, tre më shumë se Vokshi. Ajo pretendon se fleta ishte shpallur e pavlefshme në mënyrë të qëllimshme, vetëm për të ndryshuar rezultatin.
Një ditë pas votimit, Llagami i është drejtuar zyrtarisht Gjykatës së Lartë me një kërkesë për të marrë dosjen e plotë të mbledhjes, përfshirë regjistrimet audio dhe kopjet e të gjitha fletëve të votimit. Në shkresën e saj, ajo kërkon transparencë totale mbi procedurën, duke ngritur hije dyshimi mbi integritetin e procesit të përzgjedhjes.
Kjo akuzë e fortë pritet të trazojë jo vetëm Gjykatën e Lartë, por edhe gjithë skenën juridike e politike, duke vënë në pikëpyetje besueshmërinë e procedurave për zgjedhjen e anëtarëve të Kushtetueses.