Kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone të forta ndaj gazetares Klodiana Lala, pas një komenti publik lidhur me çështjen e ndotjes nga plastika dhe rolin e inceneratorit të Tiranës.
Në reagimin e tij, Rama thekson se ka vendosur t’i heqë emrin gazetares nga komenti jo për të shmangur polemikat personale, por për t’u fokusuar te ajo që ai e cilëson si “fakt skandaloz”: mënyra se si, sipas tij, një zë i opinionit publik dizinformon qytetarët. Kryeministri shprehet se është e papranueshme që qytetarëve t’u thuhet se inceneratori i Tiranës është përgjegjës për shishet dhe qeset plastike që hidhen rrugëve të Shqipërisë dhe që, më pas, përfundojnë në lumenj, kanale kulluese dhe në det, duke bllokuar grykërrjedhjet dhe ndotur plazhet.
“Komentatori-torja është gazetar-tare të cili-cilës ia hoqa emrin se nuk më intereson asfare polemika personale, po fakti skandaloz që një zëdhënës-nëse e opinionit publik, me një injorancë të ububushme (nuk flas për etikën apo për shqipshkrimin se pastaj i bie të rritet shumë kërkesa) u thotë qytetarëve se inceneratori i Tiranës e ka fajin për shishet e qeset plastike që hidhen rrugëve të Shqipërisë, e që me erën e pastaj me ujrat e lumenjve bëhen kapica të jashtëzakonshme e zbresin e bllokojnë rregullisht grykërrjedhjet e kanaleve kullues apo ndotin plazhet e detet…
Normalisht një gazetar nuk urren, nuk shpif, nuk dizinformon, po lexon, informohet dhe informon, por fatkeqësisht lloji i parë shtohet e shtohet (tamam si prurjet e plastikës) në kanalet e informimit, ndërsa lloji i dytë pakësohet dhe publiku përmbytet përditë nga prurjet e urrejtjes, shpifjes e dizinformimit!
Kollaj, të urresh, shpifësh, dizinformosh është kollaj, sepse nuk ka nevojë të lexosh, të mësosh, të kuptosh të vërtetën e të jesh i drejtë dhe i mirëartikuluar, ndërsa e kundërta, uh, e kundërta ka punë e mund të madh”, shkruan Rama.
Ndërkohë në postimin e saj gazetarja Lala shkruante:
“O mbret (qe je lakuriq) po te funksiononte inceneratori i Tiranes kete malin me plehra do e kishte djegur…
(Milionat jane vjedhur e ti ben propagande me ne)”, shprehej ajo