
Prokuroria spanjolle nis hetimet pas kallëzimit të grave që pretendojnë se këngëtari i famshëm ka ushtruar dhunë dhe presion gjatë punës në rezidencat e tij luksoze
Këngëtari i njohur latin Julio Iglesias, 82 vjeç, po përballet me akuza të rënda për abuzim seksual, pas denoncimeve të dy ish-punonjëseve që kanë punuar në pronat e tij luksoze në Karaibe. Autoritetet spanjolle kanë konfirmuar se një ankesë formale është depozituar në Audiencia Nacional në Madrid dhe se hetimet janë tashmë në fazë paraprake.
Dy gratë, të identifikuara në media me pseudonime për arsye ligjore, pretendojnë se kanë qenë objekt i sjelljeve të papërshtatshme, presionit psikologjik dhe abuzimit seksual gjatë periudhës kur punonin si punonjëse rezidente në rezidencat e Iglesias në Republikën Dominikane dhe Bahamas. Sipas dëshmive të tyre, incidentet e dyshuara kanë ndodhur në vitin 2021.
Njëra prej grave ka deklaruar se është ndjerë e poshtëruar dhe e trajtuar si objekt, ndërsa tjetra ka përshkruar një ambient pune të mbushur me frikë, presion dhe shkelje të rënda të dinjitetit personal. Ato pretendojnë se u janë bërë kërkesa dhe pyetje të papranueshme që në procesin e rekrutimit dhe se më pas sjellja e këngëtarit ka kaluar çdo kufi profesional.
Sipas mediave spanjolle që kanë ndjekur çështjen, prokuroria po shqyrton akuza që lidhen me ngacmim seksual, abuzim, shkaktim dëmtimesh dhe shkelje të të drejtave të punëtorëve përmes kushteve abuzive të punës. Hetimi është shpallur konfidencial, ndërsa pritet që në vijim të analizohen prova dokumentare, dëshmi dhe raporte mjekësore.
Julio Iglesias, i cili është një nga artistët më të shitur në historinë e muzikës dhe babai i këngëtarit të famshëm Enrique Iglesias, nuk ka reaguar publikisht ndaj akuzave deri më tani. Avokatët e tij janë kontaktuar nga media për koment, por pa një përgjigje zyrtare.
Ndërkohë, një ish-drejtuese e shtëpisë së këngëtarit ka mohuar kategorikisht pretendimet, duke i cilësuar ato të pavërteta dhe duke e përshkruar Iglesias si një njeri korrekt dhe respektues ndaj grave.
Hetimet vijojnë, ndërsa rasti ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe në botën e showbiz-it ndërkombëtar, duke hedhur një hije të rëndë mbi figurën e një prej ikonave më të njohura të muzikës latine.
