
Publikimi i librit “You Thought You Knew” ka rikthyer në qendër të vëmendjes jetën e trazuar të këngëtares amerikane, e cila reagoi me tone të forta ndaj pretendimeve të ish-bashkëshortit të saj.
Kujtimet e reja të ish-bashkëshortit të Britney Spears, Kevin Federline, kanë shkaktuar një valë reagimesh në SHBA dhe më gjerë. Në librin e tij “You Thought You Knew”, i cili pritet të dalë në treg më 21 tetor, Federline bën një sërë akuzash të rënda ndaj këngëtares, duke përfshirë përdorim droge, dhunë fizike dhe sjellje të papërshtatshme ndaj fëmijëve të tyre.
Sipas Federline, ngjarjet datojnë në vitet 2004–2006, periudhë gjatë së cilës çifti ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë, Sean Preston dhe Jayden James. Ai pretendon se Spears ka përdorur kokainë gjatë një feste në Los Angeles, madje edhe në periudha kur ajo ishte nënë e re dhe ushqente me gji djalin e tyre. Në një nga episodet e përshkruara, ai tregon se i ka kërkuar asaj të mos kthehej në shtëpi në atë gjendje, duke e cilësuar si “pikën e fundit” që çoi në ndarjen e tyre.
Në libër përmenden gjithashtu raste të dhunës verbale dhe fizike ndaj fëmijëve, duke përfshirë një episod ku Britney, sipas Federline, ka goditur njërin prej djemve në fytyrë. Ai shton se djali i tyre i madh, në moshën 10-vjeçare, e kishte pyetur pse nëna e detyronte të bënte dush me të, duke shprehur ndjesi të forta shqetësimi.
Federline akuzon gjithashtu këngëtaren për neglizhencë, duke përmendur raste kur ajo i ushqente djemtë me produkte ndaj të cilave kishin alergji, si dhe episode kur ata kishin përfunduar në spital. Ai pretendon se Spears shpesh i mbante zgjuar fëmijët natën për të kaluar kohë me ta, ndërsa kujdesi i saj ishte i pabarabartë mes dy djemve.
Britney Spears reagoi menjëherë përmes një deklarate publike në rrjetin X (Twitter), duke hedhur poshtë akuzat dhe duke i quajtur ato gënjeshtra të lodhshme dhe të qëllimshme. Ajo tha se është e lënduar dhe e rraskapitur nga manipulimi i vazhdueshëm i ish-bashkëshortit dhe shtoi se nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka kërkuar të jetë pjesë e jetës së fëmijëve të saj.
Në reagimin e saj, Spears u shpreh se Federline po përfiton financiarisht nga libri, veçanërisht pas përfundimit të pagesave të mbështetjes për fëmijët. “Jam e vetmja që lëndohem nga gjithë kjo. Do t’i dua gjithmonë djemtë e mi, por nuk do të lejoj më që të përfitohet nga emri im,” – shkroi ajo.
Këngëtarja theksoi se ka kaluar vite të vështira nën kujdestarinë e detyruar dhe po përpiqet të ndërtojë një jetë të qetë dhe të pavarur, larg vëmendjes mediatike. “Jam një grua e zgjuar, që kërkon vetëm pak respekt dhe qetësi,” – përfundoi ajo.
Publikimi i librit ka ringjallur debatin për marrëdhënien e ndërlikuar të Britney Spears me familjen, ish-bashkëshortin dhe fëmijët e saj, ndërsa shumë fansa e kanë mbështetur këngëtaren, duke e akuzuar Federline për përfitim mediatik dhe shfrytëzim të situatës për famë dhe para.