
Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg pa afat” për Kamber Sulçen, i cili akuzohet për vrasjen e biznesmenit italian Eduardo Sarchi.Vendimi u shpall nga kryetarja e gjykatës, gjyqtarja Entela Selmanaj, pas një seance që u zhvillua me dyer të mbyllura për publikun, për shkak të natyrës së rëndë të çështjes.
Sipas burimeve zyrtare, prokurorja e çështjes, Blerina Musabelli, paraqiti në seancë aktet dhe provat e mbledhura nga grupi hetimor në vendngjarje, si dhe zhvillimet që pasuan, përfshirë vetëdorëzimin e Kamber Sulçes tre ditë më parë pranë organit të akuzës.
Në fjalën e tij, avokati mbrojtës Arsenal Zotaj, i ardhur nga Vlora, theksoi se vetëdorëzimi i klientit të tij përbën një rrethanë lehtësuese që duhet marrë në konsideratë nga gjykata. Megjithatë, kjo nuk e ndryshoi vendimin për masën më të rëndë të sigurisë.
*
Vetë i pandehuri Kamber Sulçe ka zgjedhur të qëndrojë i heshtur gjatë gjithë seancës dhe nuk ka bërë asnjë deklaratë përpara trupit gjykues.Pas shpalljes së masës “arrest me burg pa afat”, avokati mbrojtës bëri me dije se do të ankimojë vendimin në Gjykatën e Apelit në Tiranë.