

Presidenti ukrainas paralajmëron rrezik katastrofe pas ndërprerjes më të gjatë të energjisë, që nga nisja e pushtimit rus; IAEA (International Atomic Energy Agency) bën thirrje për rikthimin urgjent të lidhjes me rrjetin.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka ngritur alarmin për një situatë kritike në centralin bërthamor të Zaporizhias, i cili ndodhet nën kontrollin rus. Sipas tij, impianti është pa energji elektrike prej shtatë ditësh, duke shënuar ndërprerjen më të gjatë që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt 2022.
“Një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë. Rusia po rrezikon botën me një akt që asnjë terrorist nuk do të guxonte ta bënte,” -deklaroi Zelenskyy, duke shtuar se një nga gjeneratorët me naftë që furnizon centralin ka dalë jashtë funksionit.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) paralajmëroi se funksionimi vetëm me gjeneratorë është zgjidhje e pasigurt dhe e paqëndrueshme dhe kërkoi urgjentisht rivendosjen e lidhjes me rrjetin elektrik. Drejtori Rafael Grossi theksoi se është në kontakte të vazhdueshme me Kievin dhe Moskën për të shmangur një katastrofë bërthamore.
Kjo është hera e dhjetë që centrali më i madh bërthamor në Europë shkëputet nga rrjeti, duke shtuar frikën për një incident të rrezikshëm që mund të prekte jo vetëm Ukrainën, por gjithë kontinentin.