Një punonjës i Akademisë së Sigurisë zbulon situatën shqetësuese mes të rinjve që synojnë të bëhen pjesë e Policisë së Shtetit, duke ngritur alarmin për prindërit dhe institucionet.
Një denoncim i bërë nga një punonjës i Akademisë së Sigurisë ka zbuluar një realitet alarmant për gjendjen e të rinjve që aplikojnë për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit. Sipas tij, gjatë procesit të verifikimeve të fundit, rreth 30 për qind e kandidatëve janë skualifikuar për shkak të përdorimit të lëndëve narkotike dhe problemeve psikologjike.
Të dhënat tregojnë se bëhet fjalë për të rinj të moshave 19 deri në 25 vjeç, një pjesë e të cilëve kanë rezultuar përdorues të kokainës, ndërsa të tjerë kanë shfaqur shenja të qarta ankthi, depresioni apo agresiviteti emocional. Punonjësi i Akademisë e ka cilësuar këtë fenomen si një nga zhvillimet më të frikshme të viteve të fundit, duke e lidhur me mungesën e kujdesit familjar dhe ndikimin e ambjenteve të jashtme te rinia.
Ai ka bërë thirrje për ndërgjegjësim ndaj prindërve që të jenë më afër fëmijëve të tyre, t’i mbështesin emocionalisht dhe të mos i lënë të kalojnë orë të tëra në ambiente ku ekspozohen ndaj drogave dhe ndikimeve negative.
Nga procesi i përzgjedhjes, vetëm 70 % e aplikantëve kanë kaluar fazën e parë për të vijuar me testin me shkrim, në një garë për 350 vende vakante në Policinë e Shtetit.
Më shqetësuese, sipas burimit, është se fenomeni nuk kufizohet më vetëm te djemtë, por po përfshin gjithnjë e më shumë vajza të reja, çka e bën situatën edhe më alarmante.
Punonjësi thekson se ky nuk është një sulm ndaj të rinjve, por një apel për reflektim shoqëror. Sipas tij, përdorimi i drogave dhe problemet psikologjike janë shenja të një krize më të thellë, që lidhet me mungesën e orientimit, presionin social dhe dobësinë e sistemit të mbështetjes psiko-sociale në vend.
“Rinia jonë ka nevojë për ndihmë, për mirëkuptim dhe për përkrahje, jo për qortim apo dënim,” – përfundon ai, duke kërkuar që institucionet dhe shoqëria të reagojnë përpara se ky trend të bëhet i pakthyeshëm.
