
Autoritetet detare shpallin plazhet të pasigurta pas katër sulmeve brenda dy ditësh në zonën e Sidneit
Autoritetet detare australiane kanë marrë masa urgjente duke mbyllur dhjetëra plazhe, pas një serie shqetësuese sulmesh nga peshkaqenët të raportuara brenda vetëm dy ditësh në bregdetin e Sidneit.
Vendimi u njoftua të martën, më 20 janar 2026, pasi u konfirmuan katër incidente serioze. Drejtuesi ekzekutiv i Surf Life Saving New South Wales, Steven Pearce, deklaroi se situata paraqet rrezik real për qytetarët dhe turistët, duke u bërë thirrje njerëzve të shmangin detin dhe të përdorin pishinat publike.
Mbrëmjen e së hënës, shërbimet emergjente u thirrën në një plazh të zonës Manly, pasi një surfist rreth të njëzetave u kafshua nga një peshkaqen. Sipas dëshmitarëve, një tjetër surfist i shpëtoi jetën duke përdorur litarin e bordit si turniket për të ndalur gjakderdhjen.
Po të njëjtën ditë, një djalë 10-vjeçar shpëtoi pa lëndime, pasi një peshkaqen e rrëzoi nga bordi i sërfit dhe kafshoi një pjesë të tij. Një ditë më parë, një tjetër fëmijë u raportua në gjendje kritike pasi u sulmua në një plazh të qytetit.
Ekspertët detarë shpjegojnë se sulmet lidhen me reshjet e dendura të ditëve të fundit, të cilat kanë sjellë ujëra të përziera në gjiret dhe plazhet përreth, duke krijuar kushte ideale për peshkaqenët e tipit bull, që dyshohet se janë përgjegjës për disa nga incidentet.
Autoritetet konfirmuan se të gjitha plazhet në zonën Northern Beaches, përgjatë bregdetit verior të Sidneit, do të qëndrojnë të mbyllura deri në një njoftim të dytë.
Mbyllja e plazheve vjen në kulmin e verës në hemisferën jugore, një periudhë kur bregdeti australian zakonisht është i mbushur me pushues vendas dhe turistë, duke e bërë situatën edhe më problematike për ekonominë lokale dhe sigurinë publike.
