
Policia paralajmëron shoferët: Ndalesë totale në të dy kahet, prej orës 12:00
Policia Rrugore e Lezhës ka paralajmëruar se sot, më 2 tetor, duke nisur nga ora 12:00, do të ndalohet plotësisht qarkullimi në autostradën A1, në segmentin e Fushë-Mamurrasit.
Vendimi është marrë për të mundësuar punimet urgjente në riparimin e linjës së energjisë elektrike, e cila është dëmtuar si pasojë e erërave të forta. Për këtë arsye, rruga do të jetë e bllokuar në të dy drejtimet për një periudhë rreth 15 minutëshe.
Autoritetet rrugore bëjnë thirrje për mirëkuptim dhe u kërkojnë drejtuesve të mjeteve që të respektojnë devijimet e trafikut dhe sinjalistikën e vendosur nga policia. Qëllimi, sipas njoftimit zyrtar, është garantimi i sigurisë së punëtorëve teknikë dhe i vetë drejtuesve të automjeteve.