
Në rrugët e Banja Lukës, një grafit flet më shumë se çdo analizë:“Serbët dhe rusët janë vëllezër përjetë.”
Diplomatë perëndimorë dhe zyrtarë të NATO paralajmërojnë se Kremlini po nxit tensionet në Bosnje, Serbi dhe Kosovë për të destabilizuar Evropën dhe për të devijuar vëmendjen nga lufta në Ukrainë.
Hijet e një konflikti të ri po zgjaten mbi Ballkan. Nga Bosnja e Hercegovina deri në Kosovë, retorika separatiste, ndërhyrja ruse dhe ambiciet nacionaliste serbe po krijojnë një klimë frike që kujton fillimet e tragjedisë së viteve ’90.
Në qendër të kësaj stuhie qëndron Rusia, e cila sipas analistëve perëndimorë dhe zyrtarëve të lartë të NATO, po kërkon ta kthejë Ballkanin në një vatër të re tensioni për të dobësuar aleancën euroatlantike dhe për të shpërqendruar vëmendjen nga fronti i Ukrainës. “Rusia është e interesuar vetëm për kaos,” -deklaroi kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajić, duke theksuar se ndërhyrja e Moskës në çështjet etnike të rajonit është një taktikë e njohur për të ndezur ndasitë dhe për të krijuar destabilitet.
Në Bosnje, lideri serb Milorad Dodik po rihap plagët e së kaluarës me deklarata të hapura për ndarje dhe miqësi të pandarë me Putinin dhe Vuçiçin. Ai ka kërcënuar se miratimi i rezolutës së OKB për Srebrenicën, që njeh masakrën e vitit 1995 si gjenocid do të ndajë përfundimisht Bosnjen. Në protestat e organizuara në Banja Luka, përveç flamujve serbë, janë shfaqur edhe postera me fytyrën e Putinit dhe të kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mladiç, një sinjal i qartë për ndikimin rus në retorikën politike të Dodikut.
Nga ana tjetër, analizat amerikane dhe evropiane e shohin situatën si jashtëzakonisht të rrezikshme. Një raport i inteligjencës amerikane paralajmëron se rreziku i dhunës ndëretnike në Ballkan është rritur ndjeshëm në vitin 2024, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Jens Stoltenberg, ka pohuar se Rusia po përgatit terrenin për destabilizimin e rajonit.
Putin po kërkon të ndezë një krizë të re në Ballkan për të testuar durimin e NATO dhe për të krijuar një avantazh strategjik në Evropë. “Rusia nuk ka nevojë të dërgojë ushtri, mjafton ta përdorë Serbinë për të destabilizuar rajonin,” -theksojnë burime nga Pentagon dhe strukturat e inteligjencës.
Ndërkohë, Serbia e Aleksandër Vuçiçit mbetet nën hijen e Kremlinit. Edhe pse përpiqet të ruajë imazhin e një lideri “pro-evropian”, kritikat ndërkombëtare e përshkruajnë Vuçiçin si një “prorus” që po pengon integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian dhe po mban gjallë ideologjinë e “botës serbe”, një projekt që pasqyron konceptin e “botës ruse”.
Në këtë panoramë të tensionuar, ekspertët paralajmërojnë se Ballkani po bëhet sërish fushë loje për interesat e mëdha gjeopolitike dhe se çdo lëvizje e gabuar mund të ndezë një zinxhir ngjarjesh me pasoja të paparashikueshme.
“Putin nuk kërkon fitore ushtarake në Ballkan, por kaos politik,” -shkruan analisti maqedonas Lubomir Frackoski, duke theksuar se Kremlini po përdor propagandën, rrjetet sociale dhe partitë nacionaliste për të krijuar një realitet të pasigurt dhe një ndjenjë të përhershme tensioni.
Në rrugët e Banja Lukës, një grafit flet më shumë se çdo analizë:“Serbët dhe rusët janë vëllezër përjetë.”
Një mesazh që për shumëkënd nuk është më shprehje nostalgjie, por paralajmërim i errët për një rajon që sërish rrezikon të digjet.