
Randall Spivey dhe Brandon Billmaier u nisën për peshkim nga Fort Myers, por nuk u kthyen më, Guardia Bregdetare në kërkim intensiv
Një operacion i gjerë kërkimi është vënë në lëvizje në brigjet e Floridës pas zhdukjes së dy peshkatarëve, Randall Spivey, 57 vjeç, dhe Brandon Billmaier, 33 vjeç, të cilët u nisën për peshkim të premten në mëngjes nga Fort Myers dhe nuk u kthyen më.
Sipas familjarëve, dy burrat pritej të ktheheshin pasdite, por pas mungesës së çdo kontakti deri në mbrëmje, autoritetet u njoftuan. Rreth orës 23:00, U.S. Coast Guard aktivizoi një helikopter për kërkim, ndërsa në orët e para të së shtunës anija e tyre u gjet rreth 70 milje larg bregut të Floridës, por pa asnjë person në bord.
Lajmi ka tronditur familjen dhe komunitetin lokal. Bashkëshortja e Spivey ka bërë thirrje publike për ndihmë, duke kërkuar që kërkimet të intensifikohen dhe që çdo person që mund të kontribuojë të bashkohet me operacionin. Ajo i ka përshkruar dy të zhdukurit si njerëz të mrekullueshëm dhe ka theksuar se familja shpreson ende në një mrekulli.
Autoritetet kanë bërë publike edhe përshkrimet e tyre. Randall Spivey është rreth 1.85 metra i gjatë, me flokë dhe sy kafe, dhe është parë për herë të fundit i veshur me pantallona bezhë dhe një bluzë me ngjyrë të errët. Brandon Billmaier është rreth 1.88 metra i gjatë, me flokë ngjyrë të kuqërremtë dhe sy kafe, ndërsa nuk ka detaje për veshjen e tij të fundit.
Familjarët kanë kërkuar nga ata që nuk mund të ndihmojnë drejtpërdrejt në kërkime, të mbajnë dy burrat në lutje, ndërsa Guardia Bregdetare ka bërë thirrje për këdo që ka informacion të telefonojë sektorin e Shën Petersburgut.
Operacioni i kërkimit po vazhdon pa ndërprerje, ndërsa ende nuk dihet se çfarë ka ndodhur me dy peshkatarët dhe si kanë përfunduar jashtë anijes së tyre në mes të detit.
