Autoritetet belge ndaluan përkohësisht të gjitha fluturimet pas raportimeve për një dron mbi aeroportin e kryeqytetit, ndërsa NATO dhe BE qëndrojnë në gatishmëri pas shkeljeve të hapësirës ajrore nga avionë rusë.

Një situatë alarmante ka përfshirë Aeroportin Zaventem të Brukselit mbrëmjen e së martës, pasi një dron u pa duke fluturuar mbi hapësirën ajrore të aeroportit. Si masë sigurie, të gjitha fluturimet hyrëse dhe dalëse u pezulluan menjëherë. Lajmin e konfirmoi zëdhënësi i kompanisë publike Skeyes, Kurt Verëilligen, duke deklaruar se pezullimi ishte i përkohshëm por i domosdoshëm për sigurinë e pasagjerëve dhe ekuipazheve.
Incidenti ndodhi rreth orës 20:00 me orën lokale dhe detyroi autoritetet ajrore të devijonin disa fluturime drejt aeroporteve të tjerë belgë, përfshirë Ostend-Bruges dhe Charleroi Brussels South.
Ngjarja vjen në një moment tensioni të lartë në hapësirën ajrore evropiane. Si NATO ashtu edhe Bashkimi Evropian janë në gatishmëri të lartë pas një serie shkeljesh të dyshuara nga avionë dhe dronë rusë në hapësirat ajrore të vendeve anëtare.
Në fund të shtatorit, NATO paralajmëroi Moskën se do të përdorë “të gjitha mjetet në dispozicion” për të mbrojtur sovranitetin ajror të aleatëve, pasi disa dronë rusë u rrëzuan mbi territorin polak dhe Estonia raportoi ndërhyrje nga avionë luftarakë rusë.
Hetimet për incidentin në Bruksel janë ende në vijim, ndërsa autoritetet belge nuk kanë dhënë ende informacion mbi origjinën e dronit që shkaktoi pezullimin e fluturimeve.
