
Autoritetet dyshojnë për ekspozim ndaj një substance të rrezikshme në një çerdhe private të palicencuar, ndërsa hetimet janë në vijim
Një incident i rëndë ka tronditur Jerusalemin mbrëmjen e sotme, pasi 15 fëmijë të moshës së vogël janë transportuar me urgjencë në spital pas një ekspozimi të dyshuar ndaj një substance të rrezikshme në një çerdhe. Dy prej tyre ndodhen në gjendje kritike dhe po luftojnë për jetën, bëjnë me dije autoritetet mjekësore.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën Ha-Mag, në lagjen Romema të Jerusalem. Sipas shërbimit kombëtar të urgjencës mjekësore të Izraelit, Magen David Adom, fëmijët janë ekspozuar ndaj një materiali që dyshohet të jetë i rrezikshëm, ende i paidentifikuar.
Të miturit janë dërguar për trajtim në Sheba Medical Center, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur dhjetëra zjarrfikës të pajisur me kostume mbrojtëse hazmat për të kontrolluar praninë e substancave toksike. Autoritetet kanë këshilluar banorët e zonës të ndjekin udhëzimet e forcave të emergjencës.
Ministria Izraelite e Arsimit ka konfirmuar se incidenti ka ndodhur në një çerdhe private që funksiononte brenda një apartamenti dhe që nuk ishte e licencuar apo e njohur zyrtarisht nga institucionet shtetërore. Ende nuk dihet nëse është urdhëruar evakuimi i banorëve përreth.
Në operacionin e emergjencës janë angazhuar edhe vullnetarë të United Hatzalah, përfshirë ekipe të specializuara për mbështetje psikologjike, të cilët po asistojnë prindërit e fëmijëve në pritje të informacioneve mbi gjendjen shëndetësore të tyre.
Autoritetet izraelite kanë nisur hetime të plota për të zbuluar shkakun e incidentit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore. Lajmi mbetet në zhvillim dhe priten përditësime të mëtejshme në orët në vijim.
