
Paniku u sqarua shpejt, automjeti rezultoi mjet patrullimi i Policisë së Shtetit
Një i ri ka vënë në alarm Policinë e Vlorës pasi ka raportuar se po ndiqej nga një automjet i dyshimtë me xhama të zinj, teksa po lëvizte në zonën e Lungomares.
Sipas burimeve, i riu ka kontaktuar menjëherë shërbimet e emergjencës, duke deklaruar se një makinë ishte vënë në ndjekje të tij dhe po e shqetësonte. Pas njoftimit, patrullat e Policia e Shtetit janë afruar në zonë për të verifikuar situatën.
Gjatë kontrolleve të kryera, u konstatua se automjeti i dyshuar ishte në fakt një mjet i Policisë së Shtetit, që po kryente patrullim në zonë me automjet pa logo zyrtare, në kuadër të masave të sigurisë.
Situata kishte shkaktuar frikë te i riu, i cili ishte afruar pranë një patrulle rrugore me bindjen se po ndiqej nga persona të panjohur. Pas sqarimit të rrethanave, gjithçka u normalizua brenda pak minutash dhe nuk u shënuan incidente të tjera.
Policia bën me dije se patrullimet me mjete të paidentifikuara janë pjesë e masave parandaluese për rritjen e sigurisë, duke ftuar qytetarët që në raste dyshimi të njoftojnë menjëherë autoritetet, ashtu siç veproi edhe i riu në këtë rast.
