
Kuota arrin 7.2 metra, autoritetet paralajmërojnë orë kritike nëse reshjet vijojnë
Situata paraqitet shqetësuese në zonën e Novoselës, ku niveli i Lumi Vjosës po rritet me shpejtësi si pasojë e reshjeve intensive. Sipas të dhënave të fundit, kuota e ujit ka arritur në 7.2 metra, duke shtuar rrezikun për përmbytje të tjera.
Deri në këto momente, dalja nga shtrati e lumit është regjistruar vetëm në disa zona pranë tregut të Novoselës, ku janë raportuar përmbytje të kufizuara. Megjithatë, autoritetet theksojnë se situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm dhe mund të përkeqësohet në orët në vijim.
Sipas paralajmërimeve zyrtare, orët e ardhshme konsiderohen kritike, veçanërisht nëse reshjet vijojnë me të njëjtin intensitet në zonën e Gjirokastrës, nga ku furnizohet edhe prurja e lumit. Banorët e zonave të ulëta pranë Vjosës këshillohen të tregojnë vigjilencë të shtuar dhe të marrin masa parandaluese për sigurinë e tyre dhe të pasurisë.
Autoritetet lokale janë në gatishmëri, ndërsa u bëhet thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet zyrtare dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme pranë zonave të rrezikuara.
