
Pas mungesës së medikamentit për tumorin e gjirit, pacientët me kancer të prostatës prej dy javësh mbeten pa trajtim, ndërsa institucionet nuk japin përgjigje.
Në Spitalin Onkologjik po përshkallëzohet një situatë alarmante që prek pacientë me sëmundje të rënda. Pas denoncimeve për mungesën e medikamentit Phezgo, i domosdoshëm për trajtimin e tumoreve të gjirit, tani është bërë e ditur se edhe Abirateroni, një ilaç thelbësor për trajtimin e kancerit të prostatës, mungon prej më shumë se dy javësh.
Sipas denoncimeve të familjarëve, pacientët që varen nga ky trajtim janë lënë praktikisht pa asnjë alternativë, pasi medikamenti nuk gjendet as në farmaci private dhe as në rrjetin spitalor, përveç QSUT-së, ku aktualisht mungon. Çdo ditë, të sëmurët dhe familjarët e tyre paraqiten në Onkologjik, por marrin të njëjtin përgjigje: shtyhet për nesër, pa afat dhe pa sqarime.
Pacientët shprehen se po përballen me ankth, rrezik përkeqësimi klinik dhe humbje kohe të pakthyeshme, ndërsa Ministria e Shëndetësisë nuk ka dhënë asnjë deklaratë zyrtare mbi arsyet e mungesës apo datën e rikthimit të furnizimit. Situata ka ngritur shqetësim të madh, pasi ndërprerja e trajtimeve në këtë fazë mund të ndikojë drejtpërdrejt në përparimin e sëmundjes dhe mbijetesën e pacientëve.
Në më pak se 24 orë janë bërë publike dy raste mungese medikamentesh jetike për dy kategori pacientësh të prekshëm. Në të dy rastet, pasojat janë të rënda dhe përgjegjësia vijon të mungojë. Familjarët kërkojnë transparencë, përgjigje dhe rikthim urgjent të trajtimeve, duke paralajmëruar se çdo ditë vonesë rrezikon jetë.
