
Reshjet intensive rrisin nivelin e lumenjve Starovë dhe Vërdovë, autoritetet në gatishmëri në juglindje të vendit
Situata nga moti i keq vijon të mbetet e rënduar në juglindje të vendit, ku reshjet intensive të orëve të fundit kanë shkaktuar dalje të ujërave nga përrenjtë dhe lumenjtë, duke sjellë përmbytje dhe rrezik për banorët.
Problemet më të theksuara janë regjistruar në fshatin Rrëmënjë të Pogradec, ku uji ka vërshuar në disa banesa, si edhe në fshatin Çiflig të Korçës, ku janë raportuar vështirësi të shumta për shkak të daljes së ujërave nga shtrati.
Ndërkohë, reshjet e dendura kanë sjellë rritje të ndjeshme të nivelit të lumenjve Starovë dhe Vërdovë, të cilët kalojnë përgjatë zonës së Pogradecit, duke shtuar rrezikun e përmbytjeve të reja. Strukturat përkatëse janë në terren dhe po monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa forca të shtuara janë angazhuar për të qenë gati për ndërhyrje në rast se niveli i ujërave vijon të rritet.
Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve, veçanërisht atyre që jetojnë pranë lumenjve dhe zonave të ulëta, të tregojnë kujdes maksimal dhe të ndjekin udhëzimet e emergjencave civile.
Deri në këto momente, Pogradeci mbetet bashkia më problematike sa i përket situatës së krijuar nga reshjet intensive, ndërsa vlerësimi i dëmeve pritet të bëhet pasi situata të stabilizohet.
