
Autoritetet paralajmërojnë qytetarët të mos i afrohen 36-vjeçarit Liam Wall, i dënuar për trafik droge
Policia në Uells ka shpallur alarm publik pas arratisjes së një të burgosuri nga burgu HMP Prescoed në Uellsin e Jugut, duke nisur një operacion të gjerë kërkimi. I arratisuri është identifikuar si Liam Wall, 36 vjeç, i cili u largua nga institucioni penitenciar të dielën, më 14 dhjetor.
Sipas policisë së Gwent, Wall është i gjatë rreth 1.73 metra, tullac, me sy kafe dhe mjekër kafe. Autoritetet kanë paralajmëruar se ai mund të përbëjë rrezik të mundshëm dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve të mos tentojnë ta afrojnë apo ta ndalojnë vetë, por të njoftojnë menjëherë policinë nëse e shohin ose kanë informacion për vendndodhjen e tij.
Liam Wall ishte dënuar në vitin 2017 për vepra penale të lidhura me trafikun e drogës. Ai ishte arrestuar bashkë me tre anëtarë të tjerë të një grupi kriminal, të përfshirë në një nga linjat më aktive të shpërndarjes së drogës në Cardiff. Hetimet kishin zbuluar drogë me vlerë rreth 22 mijë paund, përfshirë rreth dy kilogramë amfetaminë, ndërsa Wall ishte kapur në flagrancë gjatë drejtimit të një automjeti BMW në autostradën M4 në vitin 2016.
Një zëdhënës i policisë deklaroi se është aktivizuar plani operacional për lokalizimin e tij dhe se burgu po bashkëpunon plotësisht me autoritetet. Policia ka kërkuar që çdo informacion të raportohet menjëherë përmes linjave zyrtare ose në mënyrë anonime.
Arratisja vjen në një moment delikat për sistemin penitenciar britanik, pasi autoritetet kanë pranuar se dhjetëra të burgosur janë liruar gabimisht muajt e fundit, me disa prej tyre ende në arrati. Ngjarja ka shtuar shqetësimet për sigurinë dhe funksionimin e burgjeve në Mbretërinë e Bashkuar.
