
Një qytetar sinjalizoi për të shtëna drejt një personi ose automjeti, ndërsa grupi hetimor nuk ka konstatuar shenja në terren
Një telefonatë e ardhur pak minuta më parë në Komisariatin e Policisë së Vlorës ka vënë në lëvizje forcat e rendit, pasi një qytetar raportoi të shtëna me armë zjarri në zonën e Plazhit të Vjetër. Sipas burimeve paraprake, dyshohej se mund të ishte qëlluar drejt një personi ose një automjeti.
Policia mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes dhe nisi kontrollin e zonës, por deri tani nuk është gjetur asnjë provë që të vërtetojë të shtënat e raportuara. Grupi hetimor ka kryer një verifikim të imtësishëm në rrugicat dhe hapësirat përreth, por ende nuk janë identifikuar gëzhoja, dëmtime apo persona të lënduar.
Kontrollet po vijojnë në të gjithë zonën e Plazhit të Vjetër, si edhe në pyllin e Sodës, për të siguruar nëse sinjalizimi lidhet me një ngjarje reale apo bëhet fjalë për alarm të rremë.
