
Reshjet intensive përfshijnë Durrësin, Gjirokastrën, Lezhën dhe jugun e vendit, autoritetet në gatishmëri
Reshjet e dendura të shiut vijojnë të përfshijnë vendin edhe këtë të mërkurë, duke sjellë pasoja të rënda në disa qarqe. Situata më problematike raportohet në Durrës, Gjirokastër dhe Lezhë, ku përmbytjet dhe prurjet e larta të lumenjve kanë vështirësuar jetën e përditshme të banorëve.
Në Durrës, një sasi e madhe uji ka mbuluar zona të tëra urbane, duke i kthyer rrugët në kanale dhe duke izoluar banorë brenda banesave. Veçanërisht problematike paraqitet zona e ish-kënetës, ku si pasojë e përmbytjeve janë evakuuar 18 familje.
Në Lezhë dhe Kurbin, reshjet gjatë natës kanë qenë me intensitet më të ulët, çka ka bërë që uji të tërhiqet në pjesën më të madhe të zonave të banuara. Sipas informacioneve, niveli i lumenjve Drin dhe Gjadër ka shënuar rënie, megjithatë në Kurbin janë evakuuar rreth 8 familje për shkak të rrezikut të mëparshëm.
Situatë shqetësuese paraqitet edhe në jug të vendit. Lumi Vjosa ka dalë nga shtrati në zonën e pazarit, pranë Urës së Mifolit, ku niveli i ujit ka arritur në 6.8 metra mbi nivelin e detit. Prurjet e larta që vijnë nga zonat e Gjirokastrës dhe Përmetit vijojnë të ndikojnë në rritjen e nivelit të lumit.
Ndërkohë, në fshatin Vajzë të Vlorës, reshjet kanë shkaktuar rrëshqitje dherash në aksin rrugor Kotë–Sevaster, duke e bërë atë të pakalueshëm për automjetet. Autoritetet kanë kërkuar shmangien e këtij segmenti, ndërsa ekipet e emergjencës ndodhen në terren për pastrimin dhe rikthimin e qarkullimit.
Strukturat e emergjencës civile vijojnë monitorimin e situatës në të gjithë territorin, ndërsa qytetarëve u kërkohet të tregojnë kujdes maksimal dhe të zbatojnë udhëzimet zyrtare për të shmangur rrezikun.
