
Studimi i ri në 16 vende të BE zbulon prani të trifluoroacetic acid (TFA) në shumicën e produkteve me grurë, duke ngritur shqetësim për shëndetin e fëmijëve, grave shtatzëna dhe konsumatorëve të përditshëm
Shkencëtarët kanë lëshuar një paralajmërim urgjent për konsumatorët në lidhje me drithërat e mëngjesit pasi një studim europian ka zbuluar nivele të larta të substancave të njohura si forever chemicals, kimikate që nuk shpërbëhen dhe mund të qëndrojnë në trup për periudha të gjata kohore. Substanca e identifikuar kryesore është trifluoroacetic acid (TFA), e cila rrjedh nga pesticidet e përdorura në kulturat e grurit dhe misrit.
Hulumtimi i realizuar nga PAN Europe analizoi 66 produkte të bazuara në drithëra në 16 shtete të Bashkimit Europian, përfshirë Francën, Italinë, Spanjën, Gjermaninë, Greqinë dhe Irlandën. Rezultatet treguan se TFA u gjet në afro 82% të mostrave, me përqendrime mesatare prej 78.9 µg për kg produkti. Drithërat e mëngjesit të blera në Irlandë rezultuan më të kontaminuarat, duke arritur deri në 360 µg për kg.
Studiuesit zbuluan se produktet me bazë gruri kishin nivele ndjeshëm më të larta të TFA krahasuar me drithëra të tjera si tërshëra, thekra, orizi apo misri. Në disa produkte nuk u gjetën gjurmë të substancës, por ato ishin përjashtim i rrallë dhe jo rregull i përgjithshëm. Përveç drithërave të mëngjesit, u testuan edhe bukë integrale, miell, makarona, kruasanë, biskota dhe thërrime buke, duke treguar se kontaminimi është më i përhapur se sa mendohej.
Forever chemicals janë të lidhura me rrezik për fertilitetin, çrregullime hormonale, probleme të zhvillimit tek foshnjat, dëmtim të mëlçisë dhe sistemit imunitar, si dhe me probleme të frymëmarrjes. Disa substanca të grupit PFAS janë të lidhura me rritjen e rrezikut për kancer të veshkave, testikujve dhe vezoreve. Edhe pse për TFA nuk ka ende prova të plota për kancerogjenezë, shkencëtarët paralajmërojnë se efektet e saj në organizëm janë shqetësuese.
Ekspertët kërkojnë vendosjen e kufijve më të rreptë për përdorimin e këtyre kimikateve në bujqësi dhe ndalimin gradual të pesticideve që prodhojnë TFA. Sipas tyre, ushqimi është një nga rrugët kryesore për futjen e kësaj substance në trup, përpara edhe ujit të pijshëm.
Studime të mëparshme kanë treguar prani të lartë TFA në verërat europiane dhe ujërat e rubinetit, duke shtuar presionin për masa të menjëhershme mbrojtëse ndaj konsumatorëve.
