
Autoritetet britanike paralajmërojnë se imitimet e lira përmbajnë alergjenë të padeklaruar dhe substanca të rrezikshme
Një paralajmërim urgjent është lëshuar nga autoritetet britanike të sigurisë ushqimore lidhur me çokollatën e famshme të Dubait, e cila është kthyer në një nga dhuratat më të kërkuara për Krishtlindje. Sipas Food Standards Agency, disa produkte të shitura në Mbretërinë e Bashkuar nuk përmbushin standardet ligjore të sigurisë dhe etiketimit, duke paraqitur rrezik serioz për jetën e personave me alergji ushqimore.
Çokollata, e njohur gjerësisht në rrjetet sociale për mbushjen me fistik, tahini dhe petë filo krokante të quajtura angel hair, u krijua fillimisht nga një çokollatiere britaniko egjiptiane në Dubai dhe u bë virale pas videove të shpërndara online. Popullariteti i saj ka nxitur prodhimin e imitacioneve të lira, të cilat sipas autoriteteve përmbajnë përbërës të rrezikshëm që nuk deklarohen në etiketë.
Sipas FSA, disa nga këto produkte përmbajnë kikirikë dhe susam pa asnjë paralajmërim për konsumatorët. Ky fakt përbën një rrezik të madh për personat alergjikë, të cilët mund të përjetojnë reaksione të rënda, përfshirë anafilaksinë, një gjendje kërcënuese për jetën që mund të çojë në ndalim frymëmarrjeje dhe arrest kardiak.
Autoritetet këshillojnë që çokollata e stilit Dubai të mos blihet si dhuratë për persona që vuajnë nga alergjitë ushqimore, ndërsa theksojnë se edhe bizneset dhe importuesit kanë detyrim ligjor të deklarojnë qartë çdo alergjen në etiketë. Mosrespektimi i këtij detyrimi konsiderohet shkelje e rëndë dhe e rrezikshme për shëndetin publik.
Në raste të mëparshme, disa çokollata të importuara nga jashtë janë gjetur gjithashtu me ngjyrues ushqimorë të ndaluar, toksina të prodhuara nga myku dhe substanca kimike që dyshohet se janë kancerogjene. FSA ka bërë të ditur se po vijon monitorimin dhe testimin e produkteve që qarkullojnë aktualisht në treg.
Ekspertët vlerësojnë se çdo vit rreth 10 persona në Britani humbin jetën nga reaksionet alergjike ushqimore, ndërsa mijëra të tjerë përfundojnë në spital. Fëmijët konsiderohen veçanërisht të rrezikuar për shkak të ndjeshmërisë më të lartë dhe mungesës së mjeteve emergjente në momentin e reagimit.
