
Mesazhe për votime dhe çmime falas përdoren për të vjedhur aksesin e përdoruesve, qytetarëve u kërkohet vigjilencë maksimale
Policia e Shtetit ka dalë me një paralajmërim zyrtar për qytetarët lidhur me përhapjen e një fushate mashtruese në platformën WhatsApp, e cila synon marrjen e kontrollit të llogarive personale përmes metodës phishing. Sipas autoriteteve, mesazhet po qarkullojnë gjerësisht dhe paraqiten si kërkesa për votim në favor të një personi të njohur, me premtimin e fitimit të një burse apo çmimi falas.
Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik bën me dije se këto mesazhe shpesh vijnë nga kontakte reale, pasi llogaritë e tyre mund të jenë komprometuar më herët, çka e bën mashtrimin edhe më të besueshëm. Përdoruesit ftohen të klikojnë në lidhje të rreme, ku më pas u kërkohet të fusin kode verifikimi ose të dhëna personale.
Sipas policisë, vendosja e këtyre kodeve i mundëson autorëve të marrin kontrollin e plotë të llogarisë WhatsApp, duke e përdorur atë për të përhapur më tej mashtrimin te kontaktet e tjera ose për qëllime të tjera kriminale.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të mos klikojnë në asnjë lidhje të dyshimtë, edhe në rastet kur mesazhi vjen nga persona të njohur, si dhe të mos ndajnë asnjëherë kode verifikimi, fjalëkalime apo të dhëna personale. Një masë e rëndësishme mbrojtëse është edhe aktivizimi i verifikimit me dy hapa në aplikacionin WhatsApp.
Policia e Shtetit thekson se po monitoron situatën në kohë reale dhe u kërkon qytetarëve të raportojnë çdo rast të dyshimtë pranë strukturave përkatëse ose përmes kanaleve zyrtare të denoncimit. Qytetarët ftohen të tregojnë kujdes të shtuar ndaj çdo mesazhi që premton votime, çmime apo përfitime të menjëhershme, pasi këto janë sinjale tipike të mashtrimeve kibernetike.
