
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka reaguar lidhur me situatën e rënduar nga reshjet e dendura të shiut dhe përmbytjet që kanë përfshirë disa zona të Shqipërisë.
Në një njoftim zyrtar, ambasada u bën thirrje shtetasve amerikanë që ndodhen në vend të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në zonat e prekura nga përmbytjet, ku situata sipas saj është në përkeqësim.
Sipas mesazhit, në disa zona të vendit janë dhënë urdhra evakuimi, ndërsa përmbytjet mund të ndodhin pa paralajmërim. Reshjet intensive të shiut, thekson ambasada, mund të sjellin mbyllje rrugësh për shkak të vërshimeve të ujit apo rrëshqitjeve të dherave.
Ambasada e SHBA u rekomandon qytetarëve të ndjekin njoftimet zyrtare të autoriteteve lokale, të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e rrezikuara dhe të respektojnë udhëzimet e emergjencave civile për garantimin e sigurisë personale.
