
Autoritetet lëshojnë urdhër evakuimi në zonat bregdetare
Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.4 ka goditur mëngjesin e sotëm rajonin jugor të Mindanao-s në Filipine, duke shkaktuar alarme për cunam në të dyja brigjet e Filipineve dhe Indonezisë.
Agjencia e sizmologjisë së Filipineve dhe Sistemi Amerikan i Paralajmërimeve për Cunam kanë njoftuar se valë të rrezikshme mund të prekin zonat bregdetare deri në 300 kilometra nga epiqendra e tërmetit.
Sipas të dhënave të USGS, lëkundja është regjistruar rreth 20 milje në lindje të qytetit Davao, një metropol me gati dy milionë banorë dhe në një thellësi prej 62 kilometrash.
Banorët e zonave Eastern Samar deri në Sungao del Sur janë urdhëruar të evakuohen menjëherë drejt zonave më të larta, ndërsa autoritetet kanë theksuar se valët e para të cunamit pritet të mbërrijnë midis orës 9:43 dhe 11:42 të mëngjesit (ora lokale).
Në disa qytete të Mindanao, përfshirë Davao de Oro, studentët dhe punonjësit janë parë duke u grumbulluar jashtë ndërtesave pas lëkundjeve të forta.
Në Indonezi, Agjencia Gjeofizike Kombëtare ka lëshuar paralajmërim për rajonet North Sulawesi dhe Papua, duke u bërë thirrje banorëve të largohen menjëherë nga bregdeti.
Gjeologët kanë paralajmëruar se, për shkak të fuqisë së lartë të tërmetit, valët e cunamit mund të përhapen edhe më shumë se 300 kilometra nga epiqendra, duke rrezikuar dhjetëra qytete bregdetare në të dy vendet.
Autoritetet lokale kanë shpallur urdhra emergjence dhe ndalim lëvizjeje në zonat më të ekspozuara, ndërsa banorëve u kërkohet të mos kthehen në shtëpitë e tyre derisa të kalojë rreziku.
Ky është një nga tërmetet më të fuqishme të regjistruara në Filipine gjatë viteve të fundit, në një rajon që gjendet në të ashtuquajturin “Unazë e Zjarrit të Paqësorit”, ku përplasja e pllakave tektonike shkakton shpesh aktivitet sizmik të fortë dhe cuname shkatërruese.