
Autoritetet zbatojnë planin e emergjencës civile, prioritet fëmijët, të moshuarit dhe personat në rrezik
Situata e rënduar nga moti i keq ka detyruar autoritetet të urdhërojnë evakuim të menjëhershëm për banorët e Bashkisë Durrës, konkretisht në njësitë administrative Sukth dhe Katund i Ri, për shkak të rrezikut të drejtpërdrejtë që paraqesin përmbytjet për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
Vendimi është marrë në zbatim të Ligjit nr. 45/2019 Për Mbrojtjen Civile, Planit Kombëtar të Emergjencave Civile dhe planeve vendore të emergjencës. Procesi i evakuimit po realizohet në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Prefektin e Qarkut dhe strukturat vendore të emergjencave.
Sipas legjislacionit në fuqi, kryetari i bashkisë është autoriteti përgjegjës për urdhërimin e evakuimit në territorin administrativ. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që çdo kërkesë për ndihmë dhe komunikim ta drejtojnë vetëm te strukturat publike të angazhuara në terren.
Gjatë evakuimit, prioritet do t’u jepet fëmijëve, të moshuarve, personave me aftësi të kufizuara dhe familjeve që ndodhen në zona të izoluara. Transporti i banorëve do të sigurohet nga mjetet e bashkisë, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, si dhe Forcat e Armatosura.
Strehimi i personave të evakuuar do të menaxhohet nga Bashkia Durrës në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, shërbimet shëndetësore dhe strukturat sociale. Në momentin e mbërritjes do të kryhet regjistrimi i qytetarëve, ndërsa do të garantohet ushqim, veshmbathje dhe ndihmë mjekësore sipas nevojave. Autoritetet mbeten në gatishmëri, ndërsa situata vijon të monitorohet nga afër.
