
AKU bllokon disa produkte formule pas njoftimit nga RASFF, rrezik potencial për shëndetin e fëmijëve
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar bllokimin dhe tërheqjen nga tregu të disa produkteve të formulës për fëmijë, pas një alarmi të ardhur nga RASFF, Sistemi Evropian i Njoftimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshët.
Sipas njoftimit zyrtar, Shqipëria është informuar nga RASFF pas kontrolleve të kryera nga autoritetet italiane, ku është konstatuar prania e substancës Cereulide në formulë për bebe me origjinë nga Holanda. Kjo substancë konsiderohet rrezik potencial për shëndetin e njeriut, veçanërisht për foshnjat.
Produktet e identifikuara dhe të tërhequra nga tregu janë:
BEBA PRE 800G – Lot nr. 51250346AA, skadencë 05.2027
BEBA PRE 800G – Lot nr. 51720346AA, skadencë 06.2027
BEBA PRE 800G – Lot nr. 51660346AC, skadencë 06.2027
BEBA 1 800G – Lot nr. 51180346AB, skadencë 04.2027
BEBA 1 800G – Lot nr. 51450346AA, skadencë 05.2027
BEBA 1 800G – Lot nr. 51660346AB, skadencë 06.2027
BEBA SUPREME PRE 800G – Lot nr. 51720742F3, skadencë 06.2027
BEBA SUPREME 2 800G – Lot nr. 51550742F1, skadencë 06.2027
BEBA SUPREME 2 800G – Lot nr. 51550742F2, skadencë 06.2027
AKU bën me dije se, pas kryerjes së kontrolleve dhe ndjekjes së plotë të gjurmueshmërisë, e gjithë sasia e produkteve të identifikuara është bllokuar dhe do të asgjësohet, në përputhje me procedurat ligjore.
Autoriteti u bën thirrje konsumatorëve që, nëse i kanë blerë këto produkte dhe i kanë ende në përdorim, t’i kthejnë menjëherë në pikat e shitjes dhe të shmangin përdorimin e tyre, për të garantuar sigurinë e fëmijëve.
