
Një fluturim i nisur nga Stambolli u ul në aeroportin El Prat pas sinjalizimit për një kërcënim në bord, ndërsa autoritetet spanjolle aktivizuan planin e emergjencës ajrore
Një situatë alarmante u regjistrua paraditen e sotme në aeroportin El Prat të Barcelonës, ku një avion pasagjerësh i linjës Turkish Airlines u rrethua nga forca të shumta policie menjëherë pas uljes, pas një sinjalizimi për një kërcënim të mundshëm në bord.
Avioni, një Airbus A-321 me 148 pasagjerë dhe shtatë anëtarë ekuipazhi, ishte nisur nga aeroporti i Stambollit dhe po kryente fluturimin drejt Barcelonës, kur rreth orës 10:00, ndërsa ndodhej pranë brigjeve të Italisë, u identifikua një rrezik i mundshëm sigurie. Si pasojë, ai u shoqërua nga avionë luftarakë spanjollë dhe francezë gjatë fluturimit mbi Mesdhe.
Sipas mediave lokale, avioni ka kryer disa xhiro në ajër përpara se të lejohej të ulej rreth orës 11:00 në pistën e dytë të aeroportit El Prat. Pas uljes, mjeti ajror u zhvendos në një zonë të izoluar të parkimit, larg terminaleve, ku forcat e rendit hipën në bord për kontrolle të detajuara.
Qeveria e Katalonjës konfirmoi se ka aktivizuar planin Aerocat, mekanizmi special për emergjencat ajrore, për të monitoruar situatën dhe për të garantuar sigurinë. Të gjithë pasagjerët dhe ekuipazhi po verifikohen nga autoritetet, ndërsa hetimet janë ende në zhvillim.
Deri më tani nuk ka informacion zyrtar mbi natyrën e kërcënimit apo nëse është konstatuar ndonjë rrezik real. Autoritetet kanë bërë me dije se do të japin detaje të mëtejshme sapo të përfundojnë procedurat e sigurisë.
